Një djalë 14-vjeçar nga Kosova është zgjuar nga koma pas disa muajsh. Ai ishte në koma si pasojë e lëndimeve të marra kur ra në kontakt me kabllot e rrymës elektrike mbi hekurudhë.
Raportohet se djali ka pësuar lëndime të rënda dhe djegie si pasojë e goditjes elektrike. Pas aksidentit, ai u transportua me helikopter në një klinikë të Mynihut.
“Doli se 80 për qind e sipërfaqes së trupit të tij ishte djegur,” – deklaroi zëdhënësja e policisë, Sina Dietsch, pas aksidentit. Fatmirësisht, gjendja e tij u stabilizua pas një operacioni emergjent.
Për disa kohë nuk u dhanë deklarata për gjendjen e djalit, i cili mbeti në koma. Sipas zëdhënësit të Policisë Federale të Mynihut, Wolfgang Hauner, ai është zgjuar nga koma dhe po lufton me dëmtime të rënda nga djegiet. Hauner tha se organet e trupit shpesh dëmtohen përjetë pas aksidenteve të tilla, por shumë gjëra shkuan siç duhet për djalin.
Aktualisht, ai po trajtohet në një klinikë të specializuar në Hanover, ku po kurohen plagët e shkaktuara nga djegiet. Pas rreth dy javësh, ai pritet të transferohet në një klinikë në Hamburg për trajtim të mëtejshëm.
Mbrëmjen e aksidentit, adoleshenti ndodhej në zonën e pistës së hekurudhës me dy shokë 16-vjeçarë. Njëri prej tyre pësoi gjithashtu lëndime të rënda, por nuk është në rrezik për jetën.
Zyra e prokurorisë së Mynihut II ndërmori procedim penal ndaj tre djemve, duke hetuar një ndërhyrje të rrezikshme në trafikun hekurudhor. Gjatë hetimeve u kontrolluan edhe banesat, për të verifikuar nëse aksidenti lidhej me një tendencë në TikTok. Megjithatë, hetimet treguan se nuk ishte kështu. Procedimi penal është ndërprerë dhe të tre djemtë mbeten të pandëshkuar.