Ekonomia vendase ka regjistruar një rritje të ndjeshme të konsumit të produkteve të akcizës gjatë 10 muajve të këtij viti, përfshirë karburantet, cigaret, birrën dhe sidomos kafenë.
Të ardhurat nga akciza arritën në 48 miliardë lekë, me një rritje prej 4,5 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht për shkak të shtimit të konsumit, pavarësisht zhvlerësimit të dollarit dhe euros ndaj lekut. Shqiptarët, mesa duket, po shtojnë gjithnjë e më shumë zakonet e konsumit të tepërt.
Kafeja ka njohur një rritje historike, me 249 ton më shumë të konsumuara krahasuar me një vit më parë, duke treguar një prirje të pakontrolluar për këtë produkt. Përpos kafesë, janë shtuar ndjeshëm edhe konsumi i cigareve me 55 ton dhe birrës me 6,984 ton, duke reflektuar një rritje të qëndrueshme të shpenzimeve për këto artikuj. Shqiptarët duket se nuk heqin dorë nga kënaqësitë e vogla, pavarësisht sfidave ekonomike.