Sukses i madh i Ervin Hoxhës: Gjen të gjitha makinat e djegura të vrasësve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.11.2024, 19:38

Në një valë të pandalshme krimesh dhe atentatesh, policia shqiptare ka regjistruar një tjetër "arritje" nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha: gjetjen e makinave të djegura që përdorin vrasësit për të kryer krimet e tyre. Ky sukses kaq “i madh” është bërë tashmë simbol i përpjekjeve të qeverisë për të luftuar krimin e organizuar. Jo kapja e autorëve, jo ndalimi i zinxhirit kriminal, por thjesht gjetja e disa makinave të braktisura dhe të shkrumbuara.

Makinat e djegura janë bërë suksesi standard i policisë, ndërsa vrasësit vazhdojnë të lëvizin të lirë, duke shijuar frikën që mbjellin në rrugët e qyteteve tona. Ndonjëherë duket sikur motoja e policisë ka kaluar nga "kape krimin" në "gjeje makinën". Ndërkohë, qytetarët pyesin: A është kjo strategjia e madhe për sigurinë kombëtare? Të ndiqet tymi i gomave në vend të rrënjëve të krimit?

Kjo situatë vazhdon të ushqejë perceptimin e përgjithshëm se krimi i organizuar është një hap para forcave të rendit, duke shtuar ndjesinë e pasigurisë për qytetarët e zakonshëm. Ndërsa makinat e djegura mbeten një dëshmi kryesore, pyetja kryesore mbetet: kur do të kapen ata që ndodhen pas timonit?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit