Nga VLEN sot thonë se angazhimi i koalicionit qeverisës, bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, dhe sidomos puna e jashtëzakonshme e ekipit të VLEN-it, po sjellin ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve tanë!
“Lajmi i madh? Pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë do të jenë plotësisht funksionale në një pikë të përbashkët!
Nuk ka më pritje të gjata, maltretime e pengesa për ata që udhëtojnë mes dy vendeve tona vëllezërore. Kjo është një arritje historike që ndihmon çdo familje dhe forcon lidhjet tona kombëtare”, thuhet në kumtesën e VLEN.
Por kjo, theksojnë nga atje, është vetëm fillimi! Marrëveshjet që kemi nënshkruar dje janë hapa të tjerë drejt të nesërmes e të ardhmes tonë që meritojmë:
1. Memorandumi për energjinë – energji më e lirë, më e qëndrueshme dhe më e aksesueshme për çdo familje dhe biznes.
2. Marrëveshja për arsimin – një fokus i veçantë për aftësimin profesional të të rinjve, sepse e ardhmja është në duart e tyre.
Tani, le të ndalemi pak te një çështje që është përpjekur të krijojë debate artificiale. Pas vizitës sonë në Kosovë, disa politikanë të deshperuar, që nuk kanë bërë asgjë për qytetarët, po përpiqen të shpikin armiq dhe të hedhin baltë. Madje, disa guxuan ta quajnë kryeministrin Albin Kurti “antishqiptar”! Kryeministrin që ka qenë gjithmonë në krah të shqiptarëve, në çdo cep të botës!
Dhe pse gjithë kjo zhurmë? Sepse Kurti e tha troç të vërtetën për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut! Kush po e kritikon? Opozita e 20%-shit! Ata që për 22 vite kanë heshtur dhe nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët! Ata që kanë lënë shqipen të mbetet peng i një ligji të cunguar dhe të gjykatësve të emëruar nga vetë ata”, thuhet në komunikatën e VLEN.
Nga atje shtojnë se shqipja nuk do të jetë përqindje, Shqipja është krenaria jonë, identiteti ynë kombëtar, dhe nuk ka forcë që të na ndalë ta vendosim atë aty ku e ka vendin.