Zbulohen detaje të reja lidhur me makinën e autorëve të ekzekutimit të 28-vjeçarit Klaudio Prendi. Mësohet se makina e tyre kishte targa greke të mbivendosura.
Automjeti u gjet duke u djegur rreth orës 1:30 pas mesnate në një rrugë të amortizuar në Uzinën Autotraktore. Dyshohet se ky automjet u përdor nga autorët e vrasjes së 28-vjeçarit Klaudio Prendi, pak pas mesnatës së kaluar në zonën e Xhamllikut në Tiranë.
Atentati ndodhi në orët e para të së martës, rreth orës 00:36, në zonën e njohur si Xhamlliku në Tiranë. I riu Klaudio Prendi u qëllua me armë me silenciator sapo kishte dalë nga një lokal. Autorët, të cilët ndodheshin në një makinë që po lëvizte nga rruga e Freskut, hapën zjarr mbi të sapo ai hyri në automjetin e tij. Plumbat e goditën në kokë dhe kraharor, duke i shkaktuar plagë të rënda që çuan në vdekjen e tij në spitalin e Traumës.
Pas sulmit, autorët u larguan në drejtim të qendrës së qytetit. Ndërkohë, shokët e Prendit, që ndodheshin me të në lokal, e transportuan menjëherë drejt spitalit me makinën e tij. Policia po heton gjithashtu edhe automjetin tip “G Class” të viktimës, për të mbledhur prova të tjera të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.