Çfarë po ndodh në Tiranë? 2 atentate brenda 5 ditësh dhe vrasja e një 14-vjeçari

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.11.2024, 11:15

Të mërkurën në mesnatë, persona ende të paidentifikuar ekzekutuan me një plumb në kokë biznesmenin 52-vjeçar Eduard Reçi. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Faik Konica” Tiranë, në pallatin ku ai jetonte dhe pak minuta pasi kishte dalë jashtë për të pastruar sheshpushimin.

Vrasja e tij ndodhi në një zonë mjaft të banuar e me kamera sigurie, por policia akoma nuk ka gjetur asnjë gjurmë të autorit/ëve. Por sikur të mos mjaftonte kjo, policia ende nuk e di llojin e armës që është përdorur në këtë atentat i cili u kamuflua me fishekzjarre, një "zakon" i orës 12:00.

Pa u zbardhur ende ky atentat, krimi tronditi sërish Tiranën.

Mesnatën e kaluar, në rrugën “Xhanfize Keko” u ekzekutua me breshëri plumbash 28-vjeçari Klaudio Prendi. I riu sapo kishte dalë nga një lokal i zonës, ku kishte qenë me shokët, kur u qëllua me breshëri plumbash. Kanë qenë shokët e tij ata që kanë dalë nga lokali dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit, por aty ai ka ndërruar jetë. I riu kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë vendit dhe kishte konflikte me disa persona, por motivet mbeten të paqarta.

Por sikur të mos mjaftonin atentatet mafioze, vendi ynë ditën e djeshme u trondit edhe nga vrasja e një 14-vjeçari, pak metra larg shkollës.

Martin Cani, nxënës i shkollës "Fan Noli", Tiranë u vra me thikë pas një sherri me një bashkëmoshatar. Sherri mes tyre kishte nisur që prej të premtes, kishte vijuar dje në pushimin e gjatë dhe "u mbyll" pas mbarimit të mësimit.

Për këtë sherr mes nxënësve ishte në dijeni edhe oficeri i shkollës, por përveçse i kishte ndarë gjatë pushimit, ai nuk kishte marrë asnjë masë tjetër. Madje edhe kur ndodhi sherri asnjë makinë policie, patrulle ose jo, nuk ishte pranë shkollës "Fan Noli". Dëshmitarët e kësaj ngjarje tragjike treguan se ata tentuan disa herë ta telefonojnë policinë, por askush s'iu ishte përgjigjur thirrjeve të tyre pasi në telefonatat e policisë kishte muzikë.

Këto ngjarje të rënda sa vijnë e shtohen, masat e marra nga Policia e Shtetit janë inekzistente e sa për sy e faqe dhe siguria vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.

Sot Policia ka arrestuar autorin 14-vjeçar të vrasjes së bashkëmoshatarit, por a është kjo zgjidhja për këto probleme të vazhdueshme e të përsëritura?

Policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e Eduart Reçit dhe miqtë e Klaudio Prendit, por sërish a mjafton kaq?

Edhe sa vrasje duhet të kryhen që policia të kryejë punën e saj ashtu siç duhet dhe krimet të parandalohen në kohë dhe paralajmërimet, denoncimet, ankesat të merren seriozisht???

Kur do të themi me plot gojë se jetojmë të sigurtë, ashtu siç na reklamojnë para ndërkombëtarëve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit