Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Tiranë dhe Shkodër, duke goditur aktivitetet e paligjshme të kriptovalutave dhe pastrimit të parave. 18 persona janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, u sekuestruan 750 mijë euro, pajisje kompjuterike dhe celularë. Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se disa pika këmbimi valutor dhe individë që operonin përmes rrjeteve sociale, ofronin shërbime të paligjshme të shkëmbimit të kriptomonedhave.
Megjithatë, një problem i madh mbetet fakti se operacionet shpesh godasin "peshqit e vegjël", ndërsa individë të njohur dhe të fuqishëm që janë të lidhur me mashtrimet përfshirë kriptomonedhat, si Amant Josifi, Flladi Malaj etj, vazhdojnë të mbeten jashtë shënjestrës së autoriteteve.
Amant Josifi është një emër i njohur në skandalet financiare, dhe është i lidhur ngushtë me figura të njohura të politikës dhe biznesit shqiptar. Ai është akuzuar për drejtimin e skemave piramidale dhe aktivitete të pastrimit të parave, ku shumë qytetarë kryesisht të huaj humbën kursimet e tyre. Një nga lidhjet më të përfolura të Josifi është ajo me Olsi Ramën, i cili dyshohet se ka mbështetur dhe mundësuar aktivitetet e paligjshme të Josifi-t. Pavarësisht disa hetimeve dhe akuzave, Josifi ka arritur të shmangë ndëshkimin dhe të mbetet jashtë radarëve të drejtësisë.
Flladi Malaj është gjithashtu i përfshirë në skema të pastrimit të parave dhe mashtrimit financiar. Ai ka krijuar rrjete të fshehura financiare për të ndihmuar pastrimin e parave nga aktivitete të paligjshme. Edhe pse ka prova të shumta që lidhen me aktivitetet e tij kriminale, drejtësia ka dështuar ta ndëshkojë për shkeljet e bëra, duke ngritur dyshime për ndikimin e tij të gjerë në nivelet më të larta të politikës dhe biznesit.
Kritikët e këtyre operacioneve dhe hetimeve thonë se fokusimi i policisë në ndalimin e individëve të vegjël nuk është mjaftueshëm efektiv dhe se duhet të vihet një presion më i madh ndaj personave me ndikim dhe lidhje të fuqishme politike dhe ekonomike. Kjo ka nxitur një mosbesim të madh tek qytetarët ndaj sistemit të drejtësisë, që shpesh duket se i mbron "peshqit e mëdhenj".