Skandal në konkursin e KEK-ut, 80 aplikantë dyshohet se kanë diploma false

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 18.11.2024, 14:01

Prokuroria e Shtetit ka nisur mbledhjen e dëshmive për një proces të dyshimtë punësimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Rasti ndërlidhet me shkelje të rënda në një konkurs punësimi për 220 vende të lira pune.

80 nga mbi 200 të listuarit në listën e ngushtë, dyshohet se kanë aplikuar me diploma të falsifikuara, ka mësuar paparaci nga një burim i mirëinformuar për procesin.

Prokuroria ka autorizuar për hetime Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, ka thënë burimi.

I njëjti burim i ka thënë se 80 aplikantët që dyshohet se kanë aplikuar me diploma të falsifikuara, ndodhen në listën e të favorizuarve për pranim në punë. Procesi nuk është finalizuar ende.

Konkursi është hapur në shtator të këtij viti për pozitat: “manipulues i shiritave transportues”, “manipulues i hinkës fushore” dhe “manipulues i kabinës II”.

I hapur disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, konkursi rrezikon të përdoret nga pushteti qendror për punësime në baza partiake siç ka ndodhur në të kaluarën me punësime në ndërmarrjet publike, në kohë fushatat.

Keqpërdorimet e dyshuara në konkurset e KEK-ut nuk përbëjnë rast të izoluar, por vazhdimësi të së kaluarës. Shkelje të rënda për punësime në baza partiake dhe nepotiste ishin zbuluar edhe në një konkurs tjetër të KEK-ut në vitin 2022.

Asokohe, rreth një vit pas ngjitjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, aktivistë dhe familjarë të afërt me komisionin vlerësues ishin punësuar në një konkurs të dyshimtë të KEK-ut.

Pesë anëtarë të komisionit vlerësues, përfshirë këtu edhe zyrtarin kryesor të auditimit, kishin punësuar djemtë ose vëllezërit e tyre.

Në atë konkurs ishin punësuar edhe militantë të partisë dhe familjarë të anëtarëve të LVV-së.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit