Pronarë të ligjshëm të tokës, të moshuarit dhunohen dhe u vjedhin ullinjtë, policia s’reagon

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.11.2024, 12:47

Tre të moshuar në fshatin Senicë të Bashkisë Delvinë janë bërë pre e dhunës dhe shfrytëzimit të pronës për rreth 3 vjet, pasi disa persona po përpiqen t’u marrin 8 dynym tokë, ku ata kanë mbjellë 77 rrënjë ullinj. Pavarësisht kallëzimeve të shumta në polici dhe prokurori, ata thonë se askush nuk ka ndërhyrë për t’i mbrojtur, dhe shqetësohen se pasojat mund të jenë serioze nëse shteti nuk merr masa për të zgjidhur situatën.

Fotu Çollaku, 71 vjeç, baba i tre fëmijëve, dhe gruaja e tij Amalia, së bashku me motrën e tij, Maria, 74 vjeçe, janë të vetmit që qëndrojnë të palëkundur në tokën që është legjitimisht e tyre. Ata kanë dokumenta të rregullta për pronësinë e kësaj toke, e cila është e regjistruar në emër të tyre me vendime gjykate të vitit 2004 dhe 2010, si dhe në Librin e Ndërmarrjes së Pronës dhe ndarjen e saj në vitin 1991, sipas Ligjit 7501.

Por, sipas tyre, që nga viti 2021 ata dhunohen nga një grup personash që synojnë t’u marrin pronat. Ata thonë se janë përballur me kërcënime të vazhdueshme, sharje, dhe dhunë fizike, përfshirë kërcënime me thikë dhe përpjekje për t’i nxjerrë jashtë tokës. Për të tretin vit radhazi, ata thonë se nuk po mund të mbrojnë as prodhimin e ullinjve, pasi disa persona vijojnë të marrin atë që është korrur.

Pavarësisht kallëzimeve në polici dhe prokurori, të moshuarit thonë se nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet. Ata janë drejtuar disa herë në polici dhe kanë paraqitur denoncime për dhunën që kanë përjetuar, madje kanë dorëzuar edhe raportet mjekësore dhe dokumentet ligjore që provojnë pronësinë e tyre mbi tokën, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret. Sipas tyre, nuk janë ndërmarrë as hetime dhe as masa për mbrojtjen e tyre.

“Na kanë thënë që ‘drejtohuni gjykatës’, por nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë, sepse nuk kemi mbështetje. Ata kanë mbështetje politike dhe janë të lidhur me disa grupe të caktuara, ndërsa ne jemi vetëm pleq, të varfër dhe të pafuqishëm”, thotë Fotu Çollaku. Madje, ai shton se nëse shteti nuk do të ndërhyjë, ai mund të detyrohet të marrë drejtësinë në duar, pasi nuk ka çfarë të humbë më.

Motra e tij, Maria, është e bindur se kjo situatë mund të përfundojë me pasojë të rëndë nëse nuk merren masa. Ata kërkojnë që autoritetet shtetërore të ndërhyjnë menjëherë dhe të japin drejtësi për të mos lejuar që kjo situatë të eskalojë më tej.

“Nuk është hera e parë që ndodhin vrasje për motive pronësie, dhe kjo mund të përsëritet përsëri nëse shteti nuk vepron. Të gjithë ne po presim një përgjigje konkrete nga qeveria dhe autoritetet përkatëse. Nuk mund të rrezikohemi të humbasim jetën për një copë tokë”, theksojnë ata.

Të moshuarit i kanë drejtuar një letër Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, duke kërkuar që të merren masa për të zgjidhur këtë çështje, por s'kanë marrë asnjë përgjigje. Ata kërkojnë që shteti të marrë masat e nevojshme për t’u dhënë fund konflikteve për pronën dhe për t’i mbrojtur ata që janë të pambrojtur nga dhuna dhe abuzimet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit