Rritja e treguesit të kostos së punës për njësi është ngadalësuar sërish në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 2.2%, një nivel më i ulët krahasuar me rritjen prej 7.8% të regjistruar në tremujorin e mëparshëm.
Në tremujorin e dytë të vitit 2023, rritja e kostos së punës për njësi arriti nivelin më të lartë prej rreth 15%. Që prej asaj periudhe, rritja ka shfaqur një prirje të ngadalësimit të vazhdueshëm. Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë thekson se ky ngadalësim lidhet me rritjen më të ulët të pagës reale në raport me përshpejtimin e produktivitetit të punës.
Paga mesatare në sektorin privat vijoi të rritet gjatë tremujorit të dytë, por me një ritëm më të ulët, sipas Monitor. Rritja e pagave ishte 6.9%, krahasuar me 12.7% të tremujorit të parë. Banka e Shqipërisë shpjegon se ky ngadalësim është ndikuar nga një efekt statistikor bazë, pasi një vit më parë paga mesatare në sektorin privat kishte shënuar një rritje prej 15%, kryesisht si rezultat i rritjes së pagës minimale në ekonomi. Ky ndikim nga rritja e pagës minimale është reduktuar ndjeshëm në tremujorin e dytë të këtij viti.
Ngadalësimi i rritjes nominale të pagave është reflektuar edhe në rritjen reale të tyre. Pas rregullimit për inflacionin, rritja reale e pagës mesatare ishte 4.8% në tremujorin e dytë të vitit 2024, krahasuar me 10% në tremujorin e parë.
Gjithashtu, kostot e tjera prodhuese kanë vijuar të ngadalësohen. Indeksi i çmimeve të prodhimit (IÇP) u rrit me 1.7% në tremujorin e dytë, krahasuar me 2.8% në tremujorin e parë. Presionet rënëse të çmimeve të prodhimit u ndikuan kryesisht nga ngadalësimi i çmimeve për tregun vendas, të cilat u rritën me 2.3%, krahasuar me 3.5% në tremujorin e parë. Ndërkohë, çmimet e prodhimit për eksport shfaqën një ngadalësim më të moderuar, duke rënë nga 0.5% në 0.2%.
Indeksi i kushtimit në ndërtim (IKN) regjistroi një rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë, që është 0.9 pikë përqindjeje më pak se rritja e tremujorit të parë. Ngadalësimi i rritjes së kostove të prodhimit, veçanërisht i kostove të punës, ka ndikuar në uljen e presioneve inflacioniste në ekonomi.
Në dy muajt e fundit, inflacioni ka qëndruar në nivelin 1.9%, që përfaqëson nivelin më të ulët në tre vitet e fundit. Megjithatë, inflacioni i brendshëm vazhdon të ketë një peshë të madhe në normën e përgjithshme të inflacionit. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga inflacioni mesatar prej 2% në tremujorin e dytë të këtij viti, 1.7 pikë përqindjeje, ose mbi 85% e totalit, ishte kontribut i inflacionit të brendshëm.
Pavarësisht se ekonomia e brendshme mbetet burimi kryesor i presioneve inflacioniste, këto presione duket se janë zbutur disi në tremujorët e fundit. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vendosi këtë muaj të ulë normën bazë të interesit për herë të dytë këtë vit, duke e çuar atë në nivelin 2.75%.