“Më dëbuan nga Palasa! Çohu se është zonë private!”

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 18.11.2024, 10:10

Një emigrant shqiptar, i kthyer për pushime në vendlindje, ka ndarë përmes një rrëfimi për redaksinë e JOQ një përvojë që e ka lënë thellësisht të zhgënjyer.

Teksa kishte planifikuar të shijonte disa çaste të qeta me familjen buzë detit në Palasë, u përball me një situatë absurde, që përfaqëson një problem madhor të menaxhimit të hapësirave publike në Shqipëri.

Sipas tij, ngjarja ndodhi teksa kishte parkuar makinën dhe po shijonte plazhin me bashkëshorten gjermane dhe vajzën e vogël 2-vjeçare. Një person, që pretendonte të përfaqësonte një restorant aty pranë, i kërkoi të largohej, duke e cilësuar vendin “zonë private”.

“I shpjegova se po rrija thjesht disa minuta me familjen buzë detit dhe nuk po pengoja askënd, por ai insistoi që duhej të largohesha. Situata ishte absurde! Si mundet që një plazh publik, që i përket të gjithëve, të trajtohet si pronë private?”, shprehet emigranti.

“Tentova t’i shpjegoja se isha me bashkëshorten dhe vajzën e vogël dhe nuk po i prishja punë askujt. I kërkova pak respekt, por përgjigjja ishte arrogante. Madje, nuk kishte asnjë shenjë që tregonte se ishte zonë private,” thotë ai.

Emigranti tregon se përvoja në Palasë e ka bërë të reflektojë për gjendjen e drejtësisë dhe menaxhimit të pasurive natyrore në Shqipëri. Ai shpreh zhgënjimin për mënyrën se si zonat publike po privatizohen, duke përjashtuar qytetarët e thjeshtë nga e drejta e tyre natyrore.

“Është e trishtë që, pasi na kanë larguar nga vendi me politikat dhe korrupsionin, tani nuk na lënë as të vijmë për pushime pa na përballur me absurditete të tilla. Kam udhëtuar në shumë vende të botës, por askund nuk kam përjetuar një situatë kaq të turpshme.”

Në fund, ai i bën thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të reagojnë ndaj këtyre fenomeneve. “Është koha që këto abuzime të marrin fund dhe që qytetarët të rikthejnë të drejtën e tyre mbi atë që u përket të gjithëve.”

RRËFIMI I TIJ

“Ka qenë dhe një firëm që po reklamonin makina me qera, me tha që atyre skam ç’farë t’iu bëj sepse kan ardhur me urdher nga lart, largohu me tha se jam shumë i merzitur mos te futemi ne telashe.

I thash te kishe pak respekt nuk e merrje mundimin te vije fare deri këtu, e shef që jam me nusen dhe vajzen e vogel nuk po te ha zenjen apo detin, me tha që është zone private, i thash kerkund nuk shenon që është zone private. Por gjithsesi po rrij 5 minuta i thash e po iki, dhe kështu mbas ksaj situate u largova.

As nuk ishim ulur thjesht po rrinim anes detit.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit