Banorët e Tomorrit: 30 vite premtime për rrugën, por asgjë nuk është bërë!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 18.11.2024, 09:45

Banorët e fshatit Tomorr, pjesë e bashkisë Poliçan, po vuajnë prej dekadash mungesën e investimeve për rrugën e tyre kryesore. Sipas tyre, pavarësisht se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në bashki dhe kanë pritur ndërhyrje nga autoritetet, situata ka mbetur e pandryshuar për 30 vite.

“Jemi 150 familje që përdorim të njëjtën rrugë, e cila është në gjendje të mjerueshme. Çdo vit na premtojnë se do ta rregullojnë, por gjithçka mbetet vetëm fjalë. Votojmë për Partinë Socialiste prej 30 vitesh, por askush nuk vjen as ta shikojë rrugën,” shprehet një nga banorët e zonës.

Banorët shtojnë se mungesa e ndërhyrjes po shkakton dëme të konsiderueshme, sidomos për automjetet e tyre, të cilat prishen shpesh për shkak të gjendjes së keqe të rrugës. “Makina na prishen çdo ditë. Jemi lodhur me premtime boshe. Duam zgjidhje konkrete,” theksojnë ata.

Ata i bëjnë thirrje autoriteteve të bashkisë Poliçan dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme. “Ne kërkojmë vetëm një të drejtë themelore: të kemi një rrugë të kalueshme dhe të sigurt për familjet tona,” përfundojnë banorët.

Autoritetet lokale ende nuk kanë reaguar ndaj kësaj kërkese të përsëritur nga komuniteti i Tomorrit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit