Një 33-vjeçar, Klodian Karoshi, banues në Shëndëlli, u gjet i vdekur brenda automjetit të tij të aksidentuar në aksin rrugor Vrinë-Butrint, pranë fshatit Vrinë në Bashkinë Konispol. Dyshohet se aksidenti ndodhi kur ai doli nga rruga dhe makina e tij përfundoi në një kanal.
Familjarët e viktimës kishin humbur kontaktin me të që nga mbrëmja e kaluar. Trupi i pajetë dhe automjeti u zbuluan nga një bari i zonës, i cili alarmoi autoritetet.
Policia e Sarandës ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit, duke përfshirë mundësinë e faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar. Viktima ishte prind i një fëmije, ndërsa ishte edhe vetë djalë i vetëm i familjes.