Banorët e zonës “Sektor Rinia” në Durrës kanë thirrur një protestë për ditën e nesërme, në orën 11:00 paradite.
Ata njoftojnë se do të bllokojnë aksin e Portit të Ri dhe autostradën e Eco Park Durrës, në shenjë kundërshtimi ndaj grumbullimit të mbetjeve pranë banesave të tyre.
“Banorët e Sektor Rinia protestojnë për mbetjet afër shtëpive tona. Nesër në orën 11 bllokohet aksi i Portit të Ri dhe autostrada Eco Park Durrës,” shkruan një qytetar në mesazhin e tij drejtuar JOQ Albania.
Kujtojmë këtu që anija ‘Moliva’ me 102 kontejnerë me mbetje që dyshohet të jenë të rrezikshme, u ankorua disa ditë më parë në Portin e Durrësit. Anija u refuzua nga autoritetet tajlandeze dhe u kthye mbrapsht në Shqipëri.
Banorët janë të shqetësuar për ndikimin që mund të kenë këto mbetje në shëndetin e tyre dhe mjedisin përreth.
JOQ Albania mbështet zërin e qytetarëve dhe sjell në vëmendje rëndësinë e reagimit të institucioneve përkatëse ndaj kësaj situate shqetësuese.