Një qytetare ka ndarë përmes redaksisë së JOQ Albania një histori të dhimbshme dhe të rëndë, duke treguar eksperiencën e saj me dhunën psikologjike dhe kërcënimet nga ish-i fejuari. Ajo apelon për forcë dhe vetëdijësim tek vajzat e reja, duke theksuar rreziqet që vijnë nga besimi i verbër tek partneri.
Mesazhi i saj prekës tregon rrugëtimin që ajo ka kaluar:
*"Përshëndetje JOQ. Ky fenomen është shtuar shumë, dita-ditës po hasemi me kërcënime. Unë u fejova me një djalë në moshën 22 vjeçare, isha e virgjër dhe ja dhashë virgjërinë pasi u fejuam. Megjithatë, kemi pasur mosmarrëveshje çdo ditë. Më rrihte për gjëra absurde. Mora guximin dhe u ndava. Pasi u ndava, mora shumë kërcënime. Më thoshte: ‘Unë të kam bërë video nëpër shtëpi, do t’i nxjerr të gjitha.’
Ishte shumë e dhimbshme për mua, sepse kisha menduar se do kaloja jetën me të, por më e dhimbshme ishte ajo që ndodhi më pas. Përmes fotove dhe videove që më kishte bërë kur ishim të fejuar, më kërcënonte se do t’i publikonte në TikTok ose do t’i dërgonte tek shoqet e mia.
I shkruante të gjithëve, edhe familjarëve të mi, duke u thënë: ‘A doni t’i shikoni fotot e saj?’ Për fat të keq, të gjithë e dinin se mund të kishte materiale sepse isha e fejuar. Kjo ishte një periudhë shumë e vështirë për mua, por me shumë vështirësi e kalova. Dua t’ju bëj thirrje vajzave: Behuni të forta, mos e ulni kokën për asgjë dhe mendohuni mirë para se t’i besoni dikujt. Mos i besoni djallit që shfaqet si engjëll.”*
Ky rrëfim ngre shqetësimin e madh për abuzimin emocional dhe kërcënimet që shumë gra dhe vajza përjetojnë pas ndarjeve. Vajza në fjalë është një shembull frymëzimi, duke treguar forcën për të kapërcyer një periudhë të errët të jetës së saj. Ajo apelon që të gjitha vajzat të jenë të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme, duke mos lejuar që askush t’i shfrytëzojë ose t’i poshtërojë.
JOQ Albania i bashkohet thirrjes së saj dhe i bën apel institucioneve që të forcojnë masat ndaj kërcënimeve dhe dhunës psikologjike, duke mbrojtur gratë dhe vajzat nga raste të tilla të tmerrshme.