Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sot me propozim të Prokurorisë janë dëgjuar prindërit, motra dhe nipi i babait të Vanjës në lidhje me vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit.
Në seancë, ata folën për momentin kur mësuan se Vanja ishte zhdukur dhe kërkimin e saj. Ata folën edhe për marrëdhëniet e tyre familjare dhe gjendjen financiare.
Zoran Gjorçevski, babai i Aleksandrit, tha sot në gjykatë se ishte në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe zhdukjen e Vanjës e kishte mësuar nga ish-bashkëshortja.
“Isha në kontakt të vazhdueshëm me familjen, telefonova dhe nëna e Sashos po qante, më njoftoi se Vanja është zhdukur. I kërkova Aleksandrit të më tregonte se çfarë më duhej, ai më tha që Vanja është zhdukur. Unë jam vënë në dispozicion në çdo kohë, më tregoni ku të përfshihem”, tha ai.
Ai shtoi se Aleksandri i kërkoi të kontaktonte me disa që mund të ndihmonin, duke telefonuar miqtë e tij brenda dhe jashtë vendit.
“Po telefonoja një partner biznesi në Greqi për të parë nëse kishte ndonjë informacion”, tha ai.
I pyetur nëse e njeh Goce Trajkovskin, ai është përgjigjur se ata kanë qenë kumbarë dhe se në kontakt me familjen ka kuptuar se edhe Goce ka marrë pjesë në hetim.
Babai i Aleksandrit tregoi se Aleksandri punonte, nuk kishte borxhe dhe shumë kohë më parë kishte një varësi nga e cila u shërua dhe më pas u martua.
Në seancën e parë të mbajtur të akuzuarit Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, deklaruan se nuk ndihen fajtorë. Sipas aktakuzës, ata planifikuan së bashku të rrëmbenin vajzën 14-vjeçare për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë që të siguronte para për shpërblim. Ndërsa, rrëmbimi i Pançe Zhezovski në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij “Citroen” për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Vanja, e mitura dhe Pançe nga Velesi, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.
Lidhur me këtë rast dyshohet se ka ndihmuar pas kryerjes së veprës edhe një person tjetër, ndaj të cilit do të zhvillohet ndaras procedura. Gjykimi udhëhiqet nga gjyqtari Ivica Stefanovski, ndërsa prokurorinë e përfaqëson prokurorja Jaklina Krstevska.
Seanca e radhës gjyqësore do të zhvillohet më 20 nëntor.