Detaje të reja janë zbardhur rreth vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, 52 vjeç, në rrugën “Faik Konica”, Tiranë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur kur Eduart Reçi, së bashku me gruan e tij, po pastronin sheshin e pallatit ku ata jetonin. Pasi të dy janë futur në apartament, Eduarti ka dalë sërish jashtë, ku është ekzekutuar për vdekje. Policia ka zbuluar se, në momentin e krimit, përveç shtënave, janë hedhur gjithashtu fishekzjarrë në zonë. Ky detaj ka ngritur dyshime, pasi mund të ketë shërbyer si një metodë për të kamufluar vrasjen dhe për të shpërqendruar vëmendjen e dëshmitarëve.
Kur gruaja ka dalë jashtë ka parë bashkëshortin të plagosur por ka menduar se mund të ishte prej fishekzjarreve. Me mbërritjen e ambulancës, mjekët kanë konstatuar plumbin në kokë.
Një nga pistat kryesore që po hetohet është konflikti për pronësinë. Eduart Reçi kishte pasur disa probleme ligjore me pronat e tij, dhe në vitin 2015 ai kishte paraqitur një kallëzim për çështje pronësie, por hetimi ishte pushuar nga prokuroria. Kjo ka ngritur dyshime se vrasja mund të ketë lidhje me këto konflikte të mëparshme.
Policia ka sekuestruar celularin e viktimës për të hetuar bisedat e tij të fundit dhe për të parë nëse dikush mund ta ketë tërhequr në një pritë. Në vendngjarje është gjetur vetëm një predhë, e cila është dërguar për ekspertim për të zbuluar llojin e armës dhe karakteristikat e saj.
Sipas hetuesve, distanca e mundshme e qitjes ka qenë rreth 20-30 metra, që sugjeron një ekzekutim të planifikuar me shumë kujdes. Policia po vijon hetimet me shpresën se këto elemente do të ndihmojnë për të zbuluar autorët dhe për të sqaruar motivet që qëndrojnë pas kësaj vrasjeje të tmerrshme.