Dy aksidente brenda një kohe të shkurtër kanë ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Tiranë-Elbasan, në afërsi të fshatit Mushqetë, duke shkaktuar plagosjen e një efektivi policie dhe bllokimin e të trafikut për shkak të hetimeve në vendngjarje.
Pamjet nga vendngjarja të dërguara nga një qytetar në redaksinë e JOQ Albania tregojnë radhë të gjata automjetesh që kanë mbetur të bllokuara për kilometra të tëra.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije për JOQ se në aksidentin e parë u përplasën dy automjete, duke rezultuar vetëm në dëme materiale.
Policia mbërriti në vendngjarje për të kryer ekspertizën, por gjatë hetimit ndodhi një tjetër aksident: një automjet tjetër goditi një nga efektivët e policisë.
Si pasojë, efektivi mbeti i plagosur dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Nuk dihet gjendja shëndetësore e punonjësit të policisë.