Lumi Gjanica sterrë i zi, kompanitë e naftës dhe fabrikat e ullinjve të pamëshirshme ndaj natyrës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.11.2024, 15:35

Lumi Gjanica, një nga lumenjtë kryesorë që kalon përmes qytetit të Fierit, po përballet me një ndotje të rëndë, duke rrezikuar jo vetëm faunën ujore, por edhe shëndetin e qytetarëve që jetojnë pranë tij.

Kompanitë e naftës, përfshirë Albpetrol, Terra Oil, dhe Al Global, dyshohet se po shkarkojnë mbetje hidrokarbure në lumë, ndërsa tani që jemi në sezonin e vjeshtës fabrikat e vajit të ullirit kontribuojnë gjithashtu me mbetje që derdhen në Gjanicë.

Ndotja masive e lumit është e dukshme: uji ka marrë një ngjyrë të errët, për shkak të shkarkimeve dhe era e rëndë ndjehet përgjatë gjithë bregut. Lumi, i cili dikur ishte një burim jete për faunën ujore, ka humbur shumë nga biodiversiteti i tij. Peshqit dhe zogjtë që dikur ishin të pranishëm kanë zhdukur, dhe vetë lumi ka ndryshuar ngjyrë dhe aromë në varësi të ndotjes që hedhin këto industri.

Kompanitë që operojnë në këtë zonë, si Albpetrol dhe Terra Oil, vazhdojnë të hedhin ujëra teknologjikë në lumë, një praktikë e ndaluar, por e lejuar nga mungesa e inspektimeve të rregullta. Ky lloj uji duhej të përpunohej ose të injektohej nëntokë për të mos ndotur burimet ujore. Por për të shmangur shpenzimet për trajtimin e këtyre mbetjeve, këto kompani zgjedhin t'i derdhin ato në lumë, duke përkeqësuar ndotjen dhe duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe faunës ujore.

Banorët e Fierit, veçanërisht pensionistët që kalojnë kohën pranë lumit, kanë ngritur shqetësime serioze për shëndetin e tyre. Ata thonë se janë të detyruar të thithin ajrin e ndotur dhe të ekspozohen ndaj kimikateve të dëmshme, gjë që po u shkakton probleme shëndetësore. Ata kërkojnë që shteti të ndërhyjë urgjent dhe të marrë masa konkrete për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve dhe dëmet afatgjata në shëndetin publik. Ata thonë se mungesa e monitorimit të vazhdueshëm dhe sanksioneve të rrepta ka lejuar që situata të përkeqësohet përsëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit