Ura e vjetër e Milotit, që lidh qytetin e Milotit me pjesën tjetër të qarkut, është kthyer në një rrezik të madh për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kalojnë përditë në këtë aks.
E ndodhur mbi lumin Mat, ura ka vite që nuk ka marrë investime për mirëmbajtje dhe, për pasojë, gjendja e saj ka degraduar në mënyrë alarmante. Hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar, duke e bërë kalimin më të vështirë, ndërsa mbrojtëset anësore prej hekuri janë hequr në disa pjesë, duke rrezikuar edhe më tepër sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.
Drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët që kalojnë çdo ditë përmes urës shprehen të shqetësuar për gjendjen e saj të rënduar. Ata thonë se pavarësisht se numri i automjeteve që kalojnë aty çdo ditë është mjaft i konsiderueshëm, autoritetet nuk vendosin dorë mbi për ta rregulluar.
Banorët dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë që të bëhen investime urgjente dhe të rishikohet gjendja e urës, pasi ajo është një rrugë kyçe për lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave në këtë zonë.