Vrasja e biznesmenit Eduart Reçi në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e publikut, përfshirë edhe në Dibër. Familjarët dhe fqinjët e tij në fshatin e lindjes, Brezhdan, shprehen të habitur nga ngjarja, duke e përshkruar si një njeri të qetë dhe me reputacion të mirë. Ata thonë se nuk kanë dijeni për ndonjë lidhje mes tij dhe Luftar Reçit, një i penduar i drejtësisë i njohur në zonë.
Sipas një fqinji, Reçi ishte një djalë i respektuar dhe nuk kishte konflikte të njohura, ndërsa një kushëri i tij konfirmon se ai kishte dy banesa në Tiranë të dhëna me qira dhe se lajmi për ngjarjen u mor vesh përmes televizionit.
“Shumë djalë i mirë ka qenë. Më i miri i fshatit dhe ai dhe babai i vetë. Djalë më të mirë nuk ka pasur. Konflikte nuk ka pasur. Ka vazhduar shkollën e lartë”, – u shpreh një prej fqinjëve.
Një tjetër fqinj e përshkruan si një person të njohur dhe të respektuar në Dibër, që kishte mbi 30 vite që ishte shpërngulur në Tiranë.
“E njoh si djali më i mirë i Dibrës. Ka mbi 30 vjet që është larguar nga Dibra. Nuk besoj se ka lidhje me Luftar Reçin. Ka mbaruar shkollën e ekonomikut me sa di un”, – u shpreh një tjetër fqinj.
“Nuk ka pasur ndonjë konflikt, nuk ka pasur. Nuk di a ka pasur konflikte me ndonjë. Ishte me punë. Dy banesa në Tiranë i ka me qera. Lajmin e morëm vesh në televizor. Këtu nuk ka pasur asnjë konflikt, as babai i vetë”, – tha kushëriri i tij.
Policia nuk ka identifikuar ende një pistë të qartë hetimi për vrasjen. Sipas informacioneve, Reçi nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë. Pas analizës së pamjeve të sigurisë nga vendngjarja, policia ka dyshime se ka pasur vetëm një të shtënë, e cila e ka goditur viktimën në kokë nga distanca, pasi nuk shfaqen persona të tjerë afër tij në momentin e ngjarjes.