Biznesmeni i vrarë ish-drejtor i SHISH, autorët e pritën te shkallët e pallatit të tij

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.11.2024, 09:51

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, ku Eduart Reçi, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit u qëllua me një plumb në kokë dhe më pas ndërroi jetë në spitalin e Traumës, duke mos i shpëtuar dot plagës së rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth 23:00 në rrugën “Faik Konica”, pranë Fakultetit Ekonomik, në afërsi të pallatit që Reçi kishte ndërtuar vetë. Burime nga hetimet bëjnë me dije se autorët e atentatit kanë vëzhguar me kujdes lëvizjet e biznesmenit dhe e kanë goditur sapo ai ka dalë nga hyrja e pallatit.

Policia e Tiranës ka kryer veprimet hetimore dhe ka sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë të zonës, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve të krimit. Ende nuk ka informacione të plota në lidhje me motivet e atentatit, por një nga pistat kryesore të hetimit është përplasja për shitblerje pronash, duke e lidhur ngjarjen me aktivitetin e biznesmenit në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Përveç kësaj, ende nuk janë zbardhur të tjera detaje mbi autorët dhe rrethanat e ngjarjes, por burime të policisë kanë bërë me dije se atentati ka qenë i mirëplanifikuar. Ata dyshojnë se autori ose autorët kanë pasur njohuri të thella mbi aktivitetin e viktimës dhe janë siguruar që të godasin në një moment të përshtatshëm, kur ai ishte më i ekspozuar.

Eduart Reçi ishte një biznesmen i njohur në Tiranë, i njohur për aktivitetin e tij në ndërtim dhe sektorin e pasurive të paluajtshme, ndërkohë më herët ka qenë drejtor në institucionin e SHISH.

Familjarët e tij kanë deklaruar në polici se ai nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk kanë dyshime te motivet e ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit