Një qytetare e revoltuar ka ndarë shqetësimin e saj me redaksinë e JOQ Albania, duke denoncuar vonesat e qëllimshme të policisë në hedhjen e gjobave të trafikut në sistem.
Ajo pretendon se, edhe pse gjoba është vendosur, për të kryer pagesën me ulje në kohë, nuk është regjistruar menjëherë në sistem, duke detyruar qytetarët të paguajnë vlerën e plotë të saj.
Në mesazhin e saj, qytetarja shprehet: "Kam shkuar më 28 tetor për të paguar gjobat, por ato nuk kishin dalë ende në sistem. Detyrohem të paguaj vlerën e plotë të gjobës vetëm sepse policët vonojnë hedhjen e gjobave në sistem."
Ajo shton se ky nuk është rasti i parë që i ndodh dhe ndjen se kjo është një praktikë e padrejtë që rëndon në xhepat e qytetarëve.
Duke qenë e zhgënjyer me mungesën e transparencës dhe korrektësisë, qytetarja bën thirrje që të ndërmerren masa për të adresuar këtë problem.
Ky denoncim ka ngjallur reagime të forta edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët thonë se janë përballur me situata të ngjashme.
Ata kërkojnë që policia të përmirësojë procedurat dhe të jetë më e përgjegjshme në regjistrimin e gjobave në kohë, në mënyrë që qytetarët të mund të përfitojnë nga mundësia e pagesës së reduktuar.