Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump u rikthye si triumfues në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën për herë të parë që nga fitorja e tij në zgjedhjet e javës së kaluar dhe zhvilloi bisedime me rivalin e tij politik, presidentin në detyrë Joe Biden, mbi kalimin e pushtetit që po afrohet.
Autokolona e Trump kaloi portën nën masa të rrepta të sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, dhe presidenti republikan i ardhshëm u prit në Zyrën Ovale nga Biden.
Jashtë, në sheshin e Shtëpisë së Bardhë, një turmë e madhe gazetarësh u mblodhën në pritje të ngjarjes së madhe.
Trump festoi fitoren e tij më herët gjatë ditës me republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët kanë shanse të mira për të mbajtur kontrollin e dhomës ndërsa rezultatet e plota të zgjedhjeve të 5 nëntorit vazhdojnë të numërohen.
"A nuk është bukur të fitosh? Është gjithmonë bukur të fitosh.Dhoma e Përfaqësuesve bëri një punë të shkëlqyer," tha Trump.
Biden fillimisht garoi kundër Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 përpara se të tërhiqej dhe të mbështeste zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidate demokrate.
Biden dhe Trump kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin për vite, dhe ekipet e tyre mbajnë qëndrime të kundërta për politikat që variojnë nga ndryshimet klimatike te Rusia dhe çështjet ekonomike.
Ky takim është i pari midis tyre që nga debati i qershorit, ku performanca e dobët e Biden rriti shqetësimet për moshën e tij te demokratët dhe çoi në largimin e tij nga gara. Harris u bë kandidatja demokrate, por fushata e saj e shkurtër përfundoi me humbje.