Spanjollët po përgatiten për stuhi dhe reshje të mëdha që priten të përfshijnë vendin iberik të mërkurën, vetëm dy javë pasi përmbytjet dhe reshjet e papritura shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati në Valencia dhe pjesë të tjera të vendit, duke lënë më shumë se 200 të vdekur dhe duke shkaktuar dëme katastrofike.
Agjencia shtetërore e parashikimit të motit, AEMET, lëshoi alarmin e kuq për provincat lindore Tarragona dhe Malaga jugore, duke paralajmëruar reshje të denduara deri në 180 milimetra brenda 12 orëve, që mund të shkaktojnë përmbytje dhe dalje të lumenjve nga shtrati.
Për të enjten, alarme portokalli janë lëshuar për Granadën jugore dhe zonën bregdetare të Valencias nga Denia deri në Sagunto, ku parashikohet të bien reshje 40 deri në 120 mm. Në Tarragona, Barcelona dhe Murcia priten erëra deri në 119 km/h dhe det i trazuar.
Shërbimet emergjente në Malaga kanë evakuuar 3000 persona nga banesa të rrezikuara që ndodhen afër lumit Guadalhorce, ndërsa qytetarët në zona të tjera janë këshilluar të gjejnë vende më të larta.
Shkollat janë mbyllur në Malaga, Valencia dhe disa komuna të Katalonjës. Në Malaga janë mbyllur ose pjesërisht mbyllur dy linja metroje dhe tre autostrada që konsiderohen në rrezik përmbytjeje. Në Valencia, ku qeveria rajonale dhe Kryqi i Kuq shpërndan xhaketa dhe batanije, porti i Gandias është mbyllur, ndërsa finalet e turneut të tenisit Billie Jean King në Malaga janë shtyrë për të premten.
Ministrja e Punës, Yolanda Diaz, kujtoi punëtorët se ligjërisht nuk janë të detyruar të shkojnë në punë në kushte të rrezikshme të motit.
Masat emergjente u morën pas kritikave të ashpra ndaj autoriteteve lokale dhe qeverisë kombëtare për përgatitjen e dobët dhe paralajmërimet ndaj qytetarëve për stuhinë e 29 tetorit dhe përmbytjet që pasuan.
Stuhi të ardhshme kanë detyruar pezullimin e përpjekjeve të shpëtimit nga ekipet që kërkonin ende të zhdukurit.