Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka kërkuar rritjen e fondeve për Policinë e Shtetit gjatë një raportimi para Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm.
Proda, i cili pak javë më parë veshi uniformën e kryepolicit, kërkoi rritje të fondeve për Policinë e Shtetit duke thënë se është e domosdoshme që Policia të ketë automjetet e veta.
Sipas tij, një pjesë e madhe e automjeteve të përdorura nga Policia janë të amortizuara dhe institucioni që drejton ka një nevojë urgjente për rinovimin e flotës. Ai tha se mbajtja e automjeteve të vjetra dhe me qira janë një peshë e rëndë për buxhetin e Policisë.
“Automjetet me qira, kanë një kosto shumë të madhe. Dhe një pjesë e madhe janë amortizuar. Do ishte më mirë të kishim mjetet tona. Na duhen rreth 700 automjete. Duhet parë me prioritet shtesa për investimin e automjeteve që duhen blerë. 50% e flotës së automjeteve është e amortizuar. Duhen blerë automjetet se kemi kosto të mëdha me makinat me qira".
Ky propozim i Prodës për të mbushur më tepër xhepat e Policisë, si institucion, u mbështet menjëherë nga kryetari i komisionit, socialisti Nasip Naço i cili tha se kjo do i sugjerohet për miratim Komisionit të Ekonomisë dhe më pas Ministrisë së Financave.
Kryepolici duke folur për rritjen e kriminalitetit në vend u ndal edhe te masakra me 4 viktima në Dobraç, ku tha se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete. Por se sa do jetë e vërtetë kjo deklaratë mbetet për t'u parë pasi hetuesit nuk kanë rënë ende në gjurmët e autorit dhe nuk kanë identifikuar personin e tretë që ishte në makinë me dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.