Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Fadil Islami, për rastin e sulmit të katër (4) personave me thikë në qytetin e Ferizajt.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha“ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar ti privoj nga jeta dy të mitura- pjesëtarë të komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuara kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar ofrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me mbishkrim “Berlinger House” me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Po ashtu, sipas Prokurororisë, i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin N.M., pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në kafiterinë “Verona” , i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë , të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, ndërsa, me datë të njëjtë rreth orës 15:53 minuta , në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A.,- pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur në këmbë, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave, të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, me këtë do të kryente veprën penale në vazhdim “Vrasje e rëndë në tentativë”nga nen 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.10 lidhur me nen 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.