Emma Morano, një grua nga Italia e lindur në vitin 1899 dhe e ndarë nga jeta në vitin 2016, ishte ndër të paktët njerëz në histori që kanë jetuar deri në moshën 117 vjeçare.
Gjatë jetës së saj, ajo përjetoi tre shekuj, dy Luftëra Botërore dhe mbi 90 qeveri italiane.
Sekreti i saj i jetëgjatësisë nuk ishte ndonjë regjim strikt i shëndetshëm. Morano kishte një formulë të thjeshtë: çdo ditë për më shumë se 90 vjet, ajo konsumonte tre vezë, dy prej të cilave të gjalla.
Këtë zakon e filloi pas Luftës së Parë Botërore, kur u diagnostikua me anemi. Përveç kësaj, ajo zakonisht konsumonte një pije tradicionale italiane, grappa, të cilën e përgatiste vetë me barëra dhe rrush.
Doktori i saj, Carlo Bava, i cili e ndoqi për gati tre dekada, shpjegoi se ajo rrallë konsumonte fruta ose perime dhe se vezët dukeshin si sekreti i jetëgjatësisë së saj. “Kur e njoha, ajo hante tre vezë në ditë, dy të gjalla në mëngjes dhe një omëletë në mesditë, si dhe pulë për darkë,” tha Bava.
Edhe pse në vitet e fundit të jetës së saj Morano reduktoi sasinë e vezëve, ajo vazhdoi të hante dy në ditë dhe disa biskota për të mbajtur energjinë.
Gjenetika gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në jetëgjatësinë e saj. Nëna e saj jetoi deri në moshën 91 vjeçare, ndërsa disa nga motrat e saj arritën mbi 100 vjet.