Tenderi për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare "Met Hasa" në Durrës, për një vlerë prej 193,847,553 lekësh pa TVSH, ka ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe dyshime për paracaktim të fituesit.
Kjo procedurë, me numër reference REF-12832-07-11-2024, u fitua nga bashkimi i operatorëve ekonomikë ASI-2A CO, në pronësi të Andrea Gjikondaj dhe Astrit Gjikondaj, dhe SHENDELLI, në pronësi të Yzedin Bozhaj, për një vlerë totale prej 193,847,553 lekësh të reja pa TVSH (afërsisht 2.3 milionë euro me TVSH).
Bashkia Durrës, nën drejtimin e kryetares Emiriana Sako, përcaktoi një fond limit prej 241,896,945 lekësh për këtë projekt, ndërsa fituesit u shpallën me një ofertë që përbën 80% të fondit limit. Ky fakt ka ngjallur pikëpyetje, sidomos kur dokumentet e tenderit tregojnë se pesë pjesëmarrës të tjerë ofruan vlera më të ulëta se fituesit.
Ky tender i fundit vetëm sa shton shqetësimet mbi proceset e prokurimeve të Bashkisë Durrës, të cilat janë përballur edhe më parë me akuza për mungesë transparence dhe përzgjedhje të paracaktuar të fituesve. Gjatë mandatit të kryetares Sako, janë ngritur vazhdimisht dyshime mbi tenderat e dhëna prej saj, ku disa kompani përfitojnë edhe pse ofertat e tyre janë më të larta se të tjerat ose kriteret e përzgjedhjes janë të paqarta.