Ministri i ri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi të hënën se Irani është "më i ekspozuar se kurrë ndaj sulmeve në objektet e tij bërthamore".
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Katz shkroi: “Kemi mundësinë për të arritur qëllimin tonë më të rëndësishëm, të pengojmë dhe eliminojmë kërcënimin ekzistencial ndaj shtetit të Izraelit.”
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Irani po përparon me shpejtësi programin e tij bërthamor, duke rritur sasinë e uraniumit të pasuruar në nivele që përbëjnë armë bërthamore, në kundërshtim me kërkesat ndërkombëtare.
Kreu i IAEA, Rafael Grossi, ka paralajmëruar se Irani ka mjaftueshëm uranium të pasuruar afër nivelit të armëve për të prodhuar "disa" bomba bërthamore, nëse vendos të veprojë në këtë drejtim.
Ndërkohë, Irani vazhdon të insistojë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Marrëdhëniet e tensionuara mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar më tej kohët e fundit për shkak të shkëmbimeve të sulmeve me raketa. Këtë vit, Irani ka sulmuar dy herë drejtpërdrejt territorin izraelit, duke nxitur reagime reciproke nga ana e Izraelit.