“Ai filloi të dridhej”, dëshmitarët tregojnë për vdekjen e pasagjerit në avionin e Ryanair: Ishte kaos

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.11.2024, 09:45

Një pasagjer, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka humbur jetën në bordin e një avioni që po fluturonte nga Tirana në drejtim të Mançesterit.

Fluturimi i Ryanair ishte detyruar të devijonte në Aeroportin Stansted të Londrës më 10 Nëntor për shkak të emergjencës mjekësore.

Pas uljes së avionit, ekipet e urgjencës, përfshirë policinë dhe një ambulancë ajrore, ishin në gatishmëri për të ofruar ndihmën e nevojshme. Megjithatë, përpjekjet për të shpëtuar jetën e pasagjerit ishin të pasuksesshme dhe shqiptari u shpall i vdekur në vendngjarje.

Një pasagjer në bord ka treguar se situata ishte shumë kaotike pas fillimit të simptomave te pasagjeri i sëmurë, i cili filloi të "kishte konvulsione" (dridhje të pakontrolluara). Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të fluturimit nxituan për ta ndihmuar atë, duke përdorur ndihmën e parë, duke përfshirë frymëmarrje artificiale dhe përdorimin e defibrilatorit. Sipas dëshmitarit, manovrat e ndihmës së parë vazhduan për 25 minuta, ndërkohë që avionit iu dha leja për të ateruar në aeroportin Stansted.

"Atij i ndaloi frymëmarrja dhe gjithçka kaloi në kaos. Disa prej nesh me trajnime për ndihmën e parë nxituan për ta ndihmuar dhe filluan shtypjet në kraharor ndërsa defibrilatori ishte vendosur. Dy anëtarë të ekuipazhit ajror dhe tre pasagjerë arritën të vazhdonin të bënin CPR siç udhëzohej nga defibrilatori për 25 minuta. Kur më në fund zbritëm në një emergjencë në Londër. Mjekët e urgjencës vazhduan edhe për 30 minuta të tjera, kur të gjithë na urdhëruan të largoheshim nga avioni. Pas rreth një ore tjetër, ambulanca ishte ende aty, por ne hipëm përsëri me një ekuipazh të ri ajror për të vazhduar udhëtimin për në Mançester, pa burrin dhe miqtë e tij. E pyeta ekuipazhin dhe më thanë që, për fat të keq, burri nuk ia doli, u trondita kur mësova lajmin e hidhur".

Pas uljes në Stansted, ekipet mjekësore vazhduan përpjekjet e shpëtimit për më shumë se 30 minuta, por për fat të keq, pasagjeri nuk mundi të mbijetonte. Pas një periudhe vonese, pasagjerët e tjerë të fluturimit vazhduan udhëtimin për në Mançester, pas një ndryshimi të ekuipazhit të ri.

Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës Lindore të Anglisë njoftoi se pas raportimit për një urgjencë mjekësore në bord të fluturimit, disa njësi të urgjencës, përfshirë ambulancën ajrore dhe ekipin e reagimit të zonës së rrezikshme, arritën në vendngjarje. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, pasagjeri ndërroi jetë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit