Vinte nga Dubai/ 21-vjeçari që u kap me 26 kg hashash në valixhe në Rinas

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 11.11.2024, 18:48

Personi që shihni në foto është 21-vjeçari me pasaportë të Luksemburgut, i cili u kap në Rinas me 26 kg kanabis. Bëhet me dije se ai është ndaluar, pasi ka kaluar valixhen në skaner, të cilën e kishte mbushur plot me kanabis.

I riu vinte nga Dubai dhe nuk ka treguar se cili ishte destinacioni përfundimtar i sasisë së kanabisit.

Ai është filmuar edhe nga qytetarë të cilët kanë qenë të pranishëm në kohën kur është ndaluar 21-vjeçari.

Ndërkohë policia njoftoi:

Rinas/Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për të futur lëndë narkotike nga Dubai në Tiranë.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Fluturimi", nga Komisariati i Policisë Rinas, autoritetet doganore të Rinasit dhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.

Trafikoi nga Dubai në Tiranë, 26 kg e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis që e kishte fshehur në bagazhet e tij, kapet në Rinas dhe arrestohet në flagrancë 21-vjeçari.

Sekuestrohet sasia e lëndës narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Fluturimi".

Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit B. T., 21 vjeç, banues në Luksemburg.

Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit