Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, ka publikuar një tender me vlerë 430 milionë lekë, duke e shpallur fitues një bashkim kompanish që ka lidhje të afërta me ish-ministrin Ilir Beqaj.
Tenderi në fjalë ka për qëllim mirëmbajtjen e sistemit të licencimit për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për sektorët e studimit, projektimit, kolaudimit të punimeve në ndërtim dhe licencimit të vlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Fitues i këtij tenderi është bashkimi i kompanive INFOSOFT SYSTEMS dhe DATA LOG. INFOSOFT SYSTEMS u themelua nga Grigor Joti dhe aktualisht "me letra" është në pronësi të Armand Sharës dhe Bledar Dhimës, ndërsa DATA LOG është në pronësi të Sokol Sinanit. Ky i fundit ka qenë ortak i ngushtë i Ilir Beqajt në kompaninë INTECH +, një kompani e njohur për përfitimin e qindra milionë lekëve nga tendera të marra kryesisht nga AKSHI.
Megjithëse Ilir Beqaj ndodhet aktualisht në burg, dyshohet se ai mund të përfitojë ende nga këto tendera përmes ish-partnerit të tij, Sokol Sinani. Lidhja mes fituesve dhe Beqajt ka ngritur dyshime për transparencën e procesit dhe qëllimin përfundimtar të këtij fondi. Shumë zëra aludojnë se pas Sinanit qëndron pikërisht Ilir Beqaj, i cili mund të përfitojë në mënyrë të tërthortë nga fondet e AKSHI-t.
Ky tender ka ngjallur gjithashtu dyshime për mungesën e konkurrencës, pasi në garë kanë marrë pjesë vetëm fituesit e përzgjedhur. Procedura e ndjekur ishte një tender i hapur mbi kufirin e lartë monetar, me një fond limit prej 39,050,400 lekësh të reja pa TVSH (afërsisht 470 milionë lekë të vjetra me TVSH). Vlera fituese prej 35,988,000 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 430 milionë lekë të vjetra me TVSH, përbën 92.16% të fondit limit, çka shton dyshimet për një vlerësim të mirëmenduar për përfitim maksimal të fondit të vënë në dispozicion.
Rritja e dyshimeve për fitues të paracaktuar dhe mungesën e transparencës në proces kanë vënë sërish në pah shqetësimet për mënyrën e funksionimit të tenderave publikë, sidomos në raste të ndjeshme ku përfshihen shuma të mëdha dhe persona të lidhur me figura të njohura në politikë.