Rritja e temperaturës së detit shkakton një fenomen të pazakontë pranë Shqipërisë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 11.11.2024, 20:34

Ngrohja e ujërave të Mesdheut ka pasur pasoja negative për midhjet, një shqetësim që shprehet nga fermerët grekë që merren me kultivimin e tyre.

“Ne shohim që dëmi që kemi pësuar është 100%, si për prodhimin që ishte gati për t’u transportuar për vitin 2024, përveç sasisë së vogël që arritëm të eksportonim. Por kryesisht shohim shkatërrimin që do të pësojmë në vitin 2025, që është kolosal për vitin e ardhshëm”, thotë një nga fermerët e midhjeve.

Sipas fermerëve, parametrat e ujit nuk janë të përshtatshëm për kultivimin dhe rritjen e midhjeve, duke shkaktuar dëme të mëdha.

“Me ardhjen e vitit të ri ne nuk e dimë si do të sigurojmë jetesën, sepse profesioni kryesor dhe i vetëm që kemi është midhjet dhe deti. Nuk kemi asnjë burim tjetër të ardhurash”.

Greqia, si shumë vende të Mesdheut, është veçanërisht e prekshme nga ndryshimet klimatike, të cilat këtë vit sollën temperatura mbi mesataren, thatësira dhe zjarre të shumta. Në korrik, një seri valësh të të të nxehtit goditën vendin, duke përfshirë edhe ujërat detare. Temperaturat e larta në det janë shkatërruese për midhjet, të cilat nuk mund të mbijetojnë në këto kushte.

“Për shkak të rritjes së temperaturave të detit, të cilat kaluan 30°C për më shumë se një muaj, pati ngordhje masive të midhjeve”.

Kostas Koukaras, një biolog që studion ekosistemet detare thotë se kriza klimatike është çështje shumë serioze.

“Kjo ndodhi për herë të dytë në më pak se pesë vjet. Hera e parë ishte në vitin 2021, kur parashikimet tona në atë kohë thanë se ky fenomen nuk do të përsëritej në më pak se dhjetë vjet. Kjo ndodhi në më pak se pesë vjet. Kjo dëshmon edhe për më skeptikët se kriza klimatike është këtu”.

Për rreth 100 familjet e fermerëve të midhjeve në qytetin e vogël të Zakalkase e ardhmja duket e zymtë. Ata po kërkojnë kompensim nga shteti për të shlyer borxhe, ndërsa të tjerët po kërkojnë punë në fabrika.

“Kemi shumë frikë. Nëse do të ndodhë përsëri vitin e ardhshëm, të gjithë do të largohemi nga zona dhe gjithçka që kam bërë gjatë tridhjetë viteve të fundit, si fermer, do të humbasë”.

Në vitin 2021, prodhimi i akuakulturës në Greqi arriti vlerën mbi 619 milionë euro, duke e renditur atë të tretën në Evropë pas Francës dhe Spanjës. Ky vend fqinj është një nga prodhuesit kryesorë të midhjeve në Evropë, duke eksportuar gati 20,000 tonë që kultivohen çdo vit nga biznese të vogla familjare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit