Rriten me 20% qiratë e banesave në Tiranë, çmimet shkojnë deri në 2300 Euro

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 11.11.2024, 11:19

Nga shtatori i këtij viti, qiratë afatgjata për apartamente dhe zyra në Tiranë janë rritur mesatarisht me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, ky shtrenjtim është rezultat i një kombinimi faktorësh, përfshirë kufizimin e stokut të pronave për qira afatgjatë, për shkak të përqendrimit në qiratë ditore përmes platformave si Airbnb, si dhe rritjes së kërkesës së brendshme.

Qiratë afatgjata për banesa në qendër të Tiranës mbeten të larta, me çmime për apartamente 1+1 që variojnë nga 500 deri në 800 euro në muaj, dhe për apartamente 2+1, nga 800 deri në 2,500 euro. Për apartamente me sipërfaqe të madhe ose vila me hapësira rekreative në zonat periferike, çmimet shkojnë nga 4,000 deri në 10,000 euro në muaj.

Të dhënat e agjencive imobiliare tregojnë se për zona kryesore brenda Unazës së Vogël të Tiranës, nuk ka më apartamente 1+1 me qira nën 500 euro. Çmimi i qirave për apartamente pranë stadiumit “Air Albania” ka arritur në 800 euro, me një rritje prej 23% nga viti i kaluar, ndërsa qiratë për apartamentet 2+1 kanë shkuar deri në 1,300 euro, një rritje prej 8% krahasuar me një vit më parë.

Në zona të tjera të Tiranës, si ish-Blloku, çmimi i qirasë për apartamente 1+1 ka arritur deri në 800 euro, ndërsa për 2+1 variojnë nga 1,000 deri në 1,300 euro. Zonat periferike si Don Bosko dhe Zogu i Zi kanë pësuar gjithashtu rritje të ndjeshme, ku çmimet për apartamente 1+1 janë rritur nga 500 euro në 600 euro, ndërsa për 2+1 kanë arritur deri në 800 euro në muaj, raporton Monitor.

Rritja e çmimeve në tregun e qirave lidhet gjithashtu me rritjen e kërkesës nga turistët dhe të huajt që preferojnë qiratë afatshkurtra. Përqendrimi i stokut rezidencial në qiratë ditore, sidomos në zonat qendrore të Tiranës, ka kufizuar ofertën për qira afatgjata, duke ndikuar në rritjen e çmimeve për këto njësi.

Kërkesa për qira në kryeqytet dominohet nga të rinjtë dhe të huajt që punojnë në distancë, të cilët shpesh zgjedhin qendrat e qytetit për shkak të afërsisë me vendet e shërbimeve dhe infrastrukturën më të zhvilluar.

Ndërkohë, rritja e çmimeve për blerjen e pronave është një tjetër faktor që ndikon te rritja e qirave, pasi çmimet më të larta për blerje shtyjnë investitorët të orientohen më shumë drejt qirave ditore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit