Tirana mbetet një nga qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së apartamenteve, ku për të blerë një apartament nevojiten mesatarisht 15.3 vite të ardhura. Në renditjen europiane të vitit 2024, ajo radhitet pas Lisbonës, Parisit, Splitit dhe Milanos, duke u përfshirë në pesë qytetet më të kushtueshme për këtë tregues.
Por përveç blerjes së një apartamenti, tani është tepër e vështirë ta marrësh edhe me qira pasi çmimet kanë arritur në stratosferë, krejt ndryshe nga cilësia që ofrohet dhe reklamohet.
Nga shtatori 2024, çmimet e qirave për apartamente dhe zyra në Tiranë janë rritur me 20% krahasuar me vitin e kaluar. Në qendër të Tiranës, çmimet për apartamentet 1+1 variojnë nga 500 deri në 800 euro në muaj, ndërsa për apartamentet 2+1, çmimet mund të arrijnë deri në 2,500 euro. Për prona më të mëdha, çmimi i qirasë mund të kalojë 2,500 euro në muaj. Në zonat periferike si Kinostudio dhe Astir, çmimet gjithashtu janë në rritje, me qira që mund të arrijnë deri në 900 euro për apartamentet 2+1.
Me këto çmime që sa vijnë e rriten, logjika të çon direkt te apartamente që supozohen të kenë edhe cilësi maksimale pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arsyetohet çmimi.
Por një qytetar që mori me qira një apartament në zonën e Freskut ka ngelur pa fjalë nga cilësia e reklamuar dhe ajo që pa në realitet.
Ai ka treguar për JOQ ALBANIA se pasi ka paguar qeranë ka shkuar për të parë shtëpinë ku do jetonte. Por akoma pa hyrë brenda ka parë gjendjen skandaloze të ballkonit të tejmbushur me mbeturina.
Ndërkohë që me të hyrë brenda, ai është përballur me lagështirën e frikshme në çdo cep të shtëpisë, kushtet skandaloze të saj dhe mobiljet e thyera e keqpërdorura.
Ai u bën thirrje të tjerëve që të kenë kujdes nga mashtrime të tilla pasi vetë pagoi 31.000 lekë për një muaj, dhe u kërkon autoriteteve që të marrin masa pasi meqë për çmimet s'po ndërhyjnë, të paktën të sigurojnë cilësinë.