Miliarda lekë tendera shpenzohen çdo vit në sektorin e shëndetësisë, me premtimin për përmirësimin e infrastrukturës, furnizimin me medikamente mjekësore, shërbime ushqimore për të sëmurët, mirëmbajtjen e ashensorëve dhe shumë procese të tjera që lidhen me shëndetësinë publike.
Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre tenderave janë në fokus të dyshimeve për korrupsion, duke ngritur pyetje mbi transparencën e këtij sektori dhe menaxhimin e fondeve publike.
Redaksia e JOQ ka marrë dhjetëra denoncime nga qytetarët, duke dokumentuar mënyrën se si biznesmenët dhe individët me lidhje politike përfitojnë tenderat e shëndetësisë, për të shtuar pasurinë e tyre, ndërkohë që shërbimet për qytetarët vazhdojnë të mbeten të mangëta.
Ditën e sotme një nënë e një fëmije të sëmurë tek spitali i Traumës në Tiranë ka treguar vaktun e mëngjesit në këtë spital. Ajo ka treguar se si të sëmurët ushqehen me një fetë buke, gjalpë e djathë, një lugë reçel e një gjysme gotë me qumësht.
Denoncimi i nënës:
Shifeni ju lutem cfare mengjesi te trauma spitali ushtarak. Kam shtruar cunin. Kjo eshte e tmershme. Po nji cop buk. Po shif cfar receli ju lutem skandal. Mjer per ne
JOQ ALBANIA ka zbuluar se pas këtij mëngjesi skandaloz, që nuk mund të krahasohet as me vendet e rajonit, se Bashkimit Europian s'bëhet fjalë, fshihet Nikolin Jaka, i cili e ka kapur prej ‘fyti’ sektorin e Shëndetësisë dhe nuk ka lënë projekt e tender pa vjedhur.
Në prill të vitit 2022, Spitali Universitar i Traumës në Tiranë u kujtua papritur për mbarimin e ushqimit për të sëmurët dhe hapi nje tënder me emrgjencë për ushqyerjen e tyre.
Drejtoria e spitalit e ka realizuar këtë tender me procedurë me negocim, pa njoftim duke ia dhënë “direkt e në dorë” paratë vetëm fituesit, pra pa konkurrencë. Fituesi rezulton të jetë firma SORI-AL në pronësi të Alma Tafanit, gruas së Nikolin Jakës. Kjo kompani ka fituar tenderin me një ofertë me vlerë sa 99.9% e findit limit! Pra nëse fondi limit i tenderit ka qenë 10,993,750 lekë të reja pa TVSH, kompania e Nikolin Jakës ka ofruar 10,985,479 lekë të reja pa TVSH ose rreth 130 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Ndërkaq një tjetër element që i shton dyshimet për këtë tender është edhe koha mjaft e shkurtër midis datës së hapjes dhe datës së mbylljes së tij. Kështu rezulton se tenderi është hapur në datë 26-04-2022 Ora : 14:30 dhe është mbyllur 28-04-2022 Ora : 10:00. Pra praktikisht i është lënë thuajse vetëm 1 ditë afat për të mbyllur gjithçka dhe për të shpallur fituesin, që në rastin konkret është kompania e NIkolin Jakës e cila ka fituar me një ofertë të barabartë me 99.9% të fondit limit.
Ndërkohë që në shkurt të 2022, fitues i tenderit “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Spitalin Universitar të Traumës" u shpall "Dajti Park 07", një kompani në pronësi të familjarëve të deputetit socialist të Tiranës, Xhemal Qefalia. Asokohe Qefalia dhe Nikolin Jaka, u përplasën dhe hodhën akuza e dyshime për mënyrën e shpalljes së fituesit. Por pavarësisht shkeljeve tē konstatuara dhe flamujve të kuq, tenderi me vlerë 132 milionë lekë të rinj, u fitua nga Qefalia dhe familja e tij.