Një ngjarje tragjike ka ndodhur në aeroportin e Rinasit, ku Han Draxhoshi, një punonjës sigurie i kompanisë “Illyrian Guard”, ka humbur jetën pas një aksidenti në vendin e punës.
Sipas informacionit të siguruar, Draxhoshi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë detyrës së tij në ambientet e “Albcontrol”, një kompani që menaxhon trafikun ajror në Shqipëri.
Pas aksidentit, ai është dërguar në spital për trajtim mjekësor, por për shkak të dëmtimeve të rënda nga rryma elektrike, ai ka ndërruar jetë.
Familjarët e Han Draxhoshit kanë shprehur shqetësim për trajtimin e pasojave të këtij aksidenti. Ata theksojnë se kompania "Illyrian Guard" nuk ka ofruar asnjë reagim zyrtar për këtë ngjarje tragjike dhe nuk ka ofruar mbështetje adekuate për familjen në këtë periudhë të vështirë.
Për më tepër, të afërmit e tij kanë shprehur shqetësimin se vetëm kolegët e punës kanë qenë ata që kanë marrë masa për transportimin e tij në spital, ndërsa asnjë ndihmë e shpejtë nga kompania dhe autoritetet e tjera nuk është ofruar në kohë. Ata gjithashtu kanë ngritur shqetësime për mungesën e një raporti zyrtar nga policia për ngjarjen, duke e konsideruar këtë një mangësi që duhet adresuar.
Kjo situatë ka shkaktuar reagime dhe shqetësim të thellë, ndërsa familjarët e viktimës kërkojnë një hetim të plotë dhe që “Illyrian Guard” të mbajë përgjegjësi për rrethanat e këtij incidenti fatal.
Sipas deklaratës së policisë, incidenti ndodhi në një kabinë elektrike që ndodhej disa metra larg vendit ku punonjësi kryente detyrën e tij, një fakt ky që çuditërisht është theksuar posaçërisht në njoftimin zyrtar. Policia bëri të ditur se punonjësi 56-vjeçar u dërgua në spital për trajtim mjekësor, por për shkak të dëmtimeve të marra nga rryma elektrike, ai ndërroi jetë.