Dion Ajvazi e refuzon Kosovën për Shqipërinë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 10.11.2024, 13:30

Mesfushori i talentuar Dion Ajvazi është lojtari më i fundit që e ka refuzuar ftesën e Kosovës për t’iu bashkuar Shqipërisë.

Ajvazi është pjesë e “gjeneratës së re” të Alban Bushit te Shqipëria U21, me listën që u bë publike të shtunën.

20-vjeçari që luan tek te rinjtë e Hertha Berlinit ka pasur ftesë edhe nga përzgjedhësi Afrim Tovërlani, mirëpo ka vendosur t’i bashkohet “Kuq e Zinjve”.

Ishte vetë trajneri Tovërlani që për Gazetën Nacionale e konfirmoi se i ka dërguar ftesë, por përgjigja e lojtarit ka qenë negative.

“Po, Dioni ka pasur ftesë për dy ndeshjet e muajit nëntor, mirëpo ka vendosur të shkojë te Shqipëria”, tha ai shkurtimisht.

Në listën e Shqipërisë U21 për herë të parë u ftua edhe një ish lojtar i Kosovës U19, pra sulmuesi i Slavia Pragës Elmedin Rama, megjithatë ky i fundit nuk ka zënë vend te “Dardanët e rinj”.

“Jo, nuk i kemi dërguar ftesë Elmedinit”, konfirmoi “Toki”.

Kësisoj, përzgjedhësi Alban Bushi vazhdon me traditën që të marrë lojtarë të Kosovës, ndërsa po e synon edhe mesfushorin defansiv të ekipit të dytë të Stuttgartit, Luan Simnica, i cili po refuzon të luajë për grupmoshat U21.

Kujtojmë, ndryshime kemi edhe te lista e Kosovës U21, ku për herë të parë pas dy viteve që kur e la Gjermaninë ka marrë ftesë Dritan Maqkaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit