Një shpërthim eksplozivi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen "Tre Heronjtë" në qytetin e Shkodrës.
Sipas informacioneve të para, shpërthimi ka ndodhur në derën e banesës së Ardian Fierzës, i cili është një emër i njohur në qytet, i përfshirë në sektorin e agjencive funerale.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme në derën e banesës, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Sidoqoftë, ky incident ka krijuar shqetësim të madh për sigurinë e banorëve të zonës.
Ky shpërthim vjen pas një ngjarje të ngjashme në gusht, kur një shpërthim eksplozivi iu vendos në objektin e agjensisë funerale të Ardian Fierzës.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe autorët e këtij shpërthimi. Ende nuk janë bërë të ditura motivet e mundshme, por policia dyshon për lidhje të mundshme me aktivitete të tjera kriminale.
Shkodër/ Informacion paraprak
Në lagjen "Tre Heronjtë", në derën e banesës së shtetasit A. F., në orët e para të mëngjesit nga persona ende të paidentifikuar është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.