Ç’po ndodh me Manchester City? Guardiola humb për herë të parë 4 ndeshje rradhazi në karrierën si trajner

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.11.2024, 22:30

Manchester City vazhdoi serinë e humbjeve me një tjetër disfatë, këtë herë 2-1 në transfertë ndaj Brighton-it, duke ngritur dyshime nëse ky mund të jetë fundi i dominimit të tyre.

Kampionët e sezonit 2023-24 të Premier League kaluan në avantazh me anë të Erling Haaland në minutën e 23-të të pjesës së parë në ndeshjen e luajtur të shtunën, por Brighton përmbysi rezultatin në minutat e fundit të pjesës së dytë. "Qytetarët" renditen në vend të dytë me 5 pikë më pak se Liverpool-i kryesues.

City pësoi dy gola në gjashtë minuta në një periudhe 25-minutëshe ku nuk realizoi asnjë goditje në portë, duke treguar një rënie të frikshme në krahasim me ekipin që ka sunduar futbollin anglez për shtatë vitet e fundit.

Katër humbjet rradhazi të të besuarve të Guardiolës janë pësuar ndaj Tottenham-it në Kupën e Ligës, Bournemouth-it në Premier League, Sporting në Champions League dhe tani ndaj Brighton-it.

Për më tepër, kjo është hera e parë që Pep Guardiola humb katër ndeshje radhazi gjatë karrierës së tij si trajner.

Një valë dëmtimesh duket se ka ndikuar në rënien e papritur të City-t. Rikthimi i lojtarëve si Kevin de Bruyne, Rúben Dias, Jérémy Doku dhe Jack Grealish, John Stones dhe të tjerë pritet ta përmirësojë gjendjen e ekipit.

Edhe sezonin e kaluar City pati probleme nga dëmtimet, ra në renditje pas Arsenal-it dhe humbi ndaj Aston Villa-s në dhjetor, por nuk humbi më pas derisa ngriti trofeun e Premier League.

Megjithatë, mungesa më e rëndësishme këtë herë është ajo e Rodri-t, i cili nuk do të rikuperohet deri në sezonin e ardhshëm pas dëmtimit të ligamentit në shtator. Mungesa e 28-vjeçarit të talentuar spanjoll ka lënë një boshllëk të madh në mesfushën e City-t, duke vërtetuar rëndësinë e fitimit të Topit të Artë 2024 dhe pamundësinë për ta zëvendësuar.

Mateo Kovacic ka provuar ta zëvendësojë atë, por pa sukses, duke bërë që mbrojtja e City-t të jetë më e dobët se kurrë më parë nën drejtimin e Guardiolës. Ata kanë pësuar 10 gola në 4 ndeshjet e fundit.

Megjithëse ka ende ka kohë për të rikuperuar këtë situatë të vështirë, Manchester City mbetet favorit për garën për titull.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit