Australia do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nën moshën 16 vjeç

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 09.11.2024, 13:26

Qeveria laburiste e Australisë ka propozuar që fëmijët dhe të rinjtë të kenë qasje në rrjetet sociale vetëm pas moshës 16 vjeç. Kryeministri dhe lideri i partisë laburiste, Anthony Albanese, deklaroi se ky vendim reflekton shqetësimet e shumta të prindërve, gjyshërve dhe kujdestarëve për sigurinë e fëmijëve në internet. Ai theksoi se prindërit duhet të kenë mundësinë të ndalojnë qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale duke u mbështetur në një ligj të përcaktuar.

Ky projektligj pritet të diskutohet në kabinet dhe të prezantohet në parlament gnë vazhdim. Nëse miratohet, rregullorja e re mund të hyjë në fuqi pas një viti, sipas raportimit të televizionit australian ABC.

Propozimi ka marrë mbështetjen e opozitës australiane. Duke shprehur shqetësim për ndikimin e platformave si Facebook, Instagram dhe TikTok tek fëmijët, opozita theksoi se këto rrjete nuk janë të sigurta për përdoruesit e rinj.

Megjithatë, detajet teknike për kontrollin e qasjes së përdoruesve në mediat sociale mbeten ende të papërcaktuara. Sipas propozimit, përgjegjësia për verifikimin e moshës së përdoruesve do të bjerë mbi kompanitë e teknologjisë dhe platformat e internetit, dhe jo mbi prindërit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit