Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar një shtetas iranian dhe dy persona të tjerë për planifikimin e një sërë atentatesh që kishin si objektiv presidentin e sapozgjedhur Donald Trump dhe disa kritikë të regjimit iranian.
Sipas prokurorisë, regjimi iranian kishte udhëzuar të dyshuarit që të survejonin dhe të përgatisnin një atentat ndaj Trump, si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani gjatë administratës së tij.
Të akuzuarit janë identifikuar si Farhad Shakeri nga Irani, Carlisle Rivera nga Brooklyn dhe Jonathan Loadholt nga Staten Island. Shakeri, i konsideruar një agjent i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), kishte planifikuar gjithashtu vrasjen e dy amerikano-hebrenjve dhe turistëve izraelitë në Sri Lanka.
Zyrtarët amerikanë theksuan se komploti ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të regjimit iranian për të kërcënuar sigurinë kombëtare të SHBA.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, deklaroi se veprime të tilla nuk do të tolerohen. Dy shtetasit amerikanë u arrestuan në New York dhe akuzohen për përfshirje në një rrjet kriminal të rekrutuar për atentate.
Akuzat përfshijnë konspiracion për vrasje, pastrim parash dhe mbështetje materiale për një organizatë terroriste, me dënime që mund të shkojnë deri në 60 vite burg.