Fusha e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit është përfshirë nga flakët që prej orës 05.00 të mëngjesit të kësaj të shtune, duket se në mēnyrë të qëllimshme.
Ky zjarr ka shkaktuar një shtëllungë gjigante tymi dhe një erë të keqe, duke u bërë një rrezik serioz për shëndetin e banorëve në lagjen periferike të qytetit, e cila është mjaft e populluar.
Vatra e zjarrit është aktive prej disa orësh, dhe ka dyshime për zjarrvënie, pavarësisht se siguria në zonën përreth inceneratorit është e shkallës së lartë. Procesi i ndarjes dhe djegies në inceneratorin e Elbasanit nuk po kryhet prej kohësh, dhe fusha e plehrave është tejmbushur.
Kjo nuk është hera e parë që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët; gjatë dy viteve të fundit, ka pasur disa incidente të ngjashme, për të cilat ka qenë e nevojshme ndërhyrja e qindra forcave të shërbimit zjarrfikës, emergjencave dhe ushtrisë për shuarjen e zjarreve.