Të hyrat financiare nga diaspora konsiderohet të ketë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, ku për vitin e kaluar rreth 1.34 miliardë euro kanë qenë të hyra në vend. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, përqindja më e madhe e dërgesave vjen nga Gjermania dhe Zvicra.
Në mënyra të ndryshme diaspora ka ndihmuar në mirëqenien qytetare dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kontributi më i madh i bashkatdhetarëve tanë konsiderohet të jenë dërgesat e parave apo remitancat për zbutjen e varfërisë.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, deklaron se vetëm gjatë vitit 2023 në Kosovë kanë hyrë rreth 1.34 miliardë euro në formë remitencash.
“Diaspora ndikon në zbutjen e varfërisë, përmes financimit të konsumit. Pastaj në përmirësimin e gjendjes sociale në vend. Dhe pozitivisht ndikon në uljen e deficitit tregtar. Kontributi i diasporës është i rëndësishëm në tërësi duke pasur parasysh se rreth 4% e GDP-së janë para që vijnë nga diaspora. Kontributi i diasporës në një vend varet nga numri i diasporës dhe lidhja e tyre me origjinë. Në Kosovë është një lidhje e fuqishme si në aspektin ekonomik dhe social…remitencat janë një kategori që vetëm gjatë vitit të kaluar 1.34 miliardë janë të hyra në formë remitencash”, tha Mehmeti.
Mirëpo, sipas kryetarit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, paratë e diasporës që vijnë në Kosovë për fat të keq nuk adresohet në mënyrë të duhur. Sipas Dreshajt, nëse remitencat do të shkonin në prodhim, përfitimet do të ishin shumë më të mëdha në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Diaspora në ekonominë e Kosovës është një shtyllë kryesore dhe jashtëzakonisht e rëndësishme. Remitencat të cilët vijnë në Kosovë nga diaspora janë aq të fuqishme saqë ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe njëkohësisht në rritjen ekonomike. Gjë të cilën edhe Banka Botërore e ka përmendur sepse rritja ekonomike vjen si rezultat i remitencave dhe të hyrave të diasporës. Kjo është një shtyllë kryesore për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha Dreshaj.
Sipas ekonomistit, Alban Hashani, diaspora e ka më të lehtë investimin në patundshmëri e cila viteve të fundit është në rreth 60%, ndërsa mesatarja e investimeve në sektorin e prodhimit është rreth 3%.
“Diaspora ka ndikim në disa fusha. E para përmes dërgesave, të cilat kanë rritje. Por rritje kjo që shkon në relacion të drejtë me migrimin. Pra, sa ma shumë migrim aq ma shumë remitenca. Gjithashtu diaspora është edhe një prej investitorëve më të mëdhenjë në Kosovë, duke pasë parasysh se trendi i investimeve ka pasur rritje viteve të fundit. Kryesisht dominojnë nga investimet që diaspora i bënë. Megjithatë këto investime fokusohen në patundshmëri e cila nuk i kontribuon disbalancit tregtar sepse ndërtimtaria nuk është sektor që eksportohet”, tha Hashani.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës remitencat vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, që përbejnë rreth 55.5% e të gjitha të hyrave nga diaspora.