Kusari-Lila njofton se u operua nga kanceri i gjirit, ka një apel për gratë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 08.11.2024, 13:29

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar që sot ka dalë nga Klinika e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas operimit për kancerin e gjirit.

Ajo ka treguar se diagnoza i është bërë tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të përvitshëm, dhe se ka vendosur të ndjekë rekomandimet e mjekëve për operacion dhe trajtim të mëtejshëm.

Në postimin e saj, Kusari-Lila apelon që të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ende ekzaminimin e gjirit gjatë muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, të kryejnë kontrollet sa më parë.

Ajo thekson se kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

“Zbulimi i hershëm shpëton jetë,” shkruan ajo, duke theksuar se vonesat në diagnostikim mund të sjellin pasoja të rënda.

Kusari-Lila, ka falënderuar ekipin mjekësor për përkushtimin sipas saj dhe profesionalizmin e treguar gjatë trajtimit.

“Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet e juaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj,” shkroi ajo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit