Projektligji për buxhetin e vitit 2025 në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh u kritikua nga opozita. Sipas opozitës ky projektligj nuk ka përmbajte dhe si të tillë nuk duhet votuar të hënën në Kuvend. Ndërsa në anën tjetër partia në pushtet, lëvizja Vetëvendosje vlerëson se edhe pa opozitën projektligji do të kalojë në seancën e së hënës.
Me ose pa miratimin e opozitës, pushteti pritet të miratojë të hënën projektligjin për buxhetin e vitit 2025, me vlerë prej 3.6 miliardë euro. Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se i ka numrat e nevojshëm për procedimin e këtij projektligji.
“Ne do ta kalojmë buxhetin për vitin 2025, ne jemi angazhuar dhe mobilizuar që ky projekligj të kaloj sukseshëm në seancë. Buxheti është më i madh se asnjëherë më parë. Ky ligj është i rëndësishëm dhe kalon me shumicën e thjeshtë që do të thotë që ne i kemi 61 deputet të mazhorancës që do të jenë atë ditë për të proceduar këtë projekligj”, Enver Dugolli nga LVV.
Për vitin 2025 buxheti i projektuar është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024. Por megjithatë, partia më e madhe opozitare vlerëson se nuk duhet të miratohet ky projektligj.
“Ne nuk duhet fare të merremi me këtë projekligj dhe as nuk duhet t’a votojmë. Ashtu me ligj në kushtetutë nuk lejohet përdorimi i buxhetit të vitit të ardhëshëm nga thesari i mjeteve deri në mars dhe jemi të sigurt që kjo qeveri nuk do ta vazhdojë mandatin e saj. Kështu që ne nuk duhet t’a votojmë këtë projekligj” tha Hisen Berisha.
Ish-ministri i financave, Haki Shatri nga radhët e AAK-së, përveç që ka kritika për përmbajtjen e projektligjit për buxhetin e vitin 2025, absurde për të është edhe procedimi i përshpejtuar i tij.
“Çdo ligj që shkon në Kuvend minimum duhet me pas kohë deputet deri në tre javë deri në lexim të parë në mënyrë që deputët me pas kohë me lexu përmbajtjen. Ky buxhet edhe me këto shifra nominale është shumë i ulët dhe nuk tregon që kjo qeveri ka hartu buxhet dhe ka në program të vetin me luftu informalitetin, evazionin fiskal, krimin ekonomik”, tha Shatri.
Sipas ligjeve, Qeveria kishte afat deri në fund të tetorit që të votojë buxhetin për vitin e ardhshëm. Tani, buxheti duhet të shkojë në Kuvend dhe të shqyrtohet e miratohet nga deputetët, të cilët kanë afat deri në fund të vitit për miratimin e buxhetit.