Sot në mëngjes, në portin e Shëngjinit kanë mbërritur tetë emigrantë të shpëtuar nga ujërat ndërkombëtare të kanalit të Siçilisë, të cilët u transportuan nga Italia nën masa të rrepta sigurie me anijen “Libra”.
Emigrantët u ankoruan në port rreth orës 08:00 dhe siç shihet në fotot e bëra publike, ata mbajnë qese me sendet e tyre personale.
Emigrantët do t’i nënshtrohen procedurave të kontrollit në qendrën pritëse në Shëngjin, përpara se të transferohen në kampin e posaçëm në Gjadër. Sipas raportimeve, grupi përbëhet nga gjashtë shtetas egjiptianë dhe dy bangladeshas.
Mediat italiane bëjnë të ditur se fillimisht ishte parashikuar që në Shqipëri të dërgoheshin nëntë persona, por njëri prej tyre, një shtetas bangladeshas, u konsiderua i moshuar dhe me shëndet të dobët për të vazhduar udhëtimin.
Autoritetet shqiptare po marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e emigrantëve gjatë procesit të integrimit të tyre në qendrat e strehimit.
Ky është një nga disa operacionet e cilësuara “si shpëtim” të emigrantëve nga Edi Rama, për ata që kërkojnë një jetë më të sigurt në Evropë.