Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar Donald Trumpin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe e ka lavdëruar për qëndrimin e tij të guximshëm pas tentativës për vrasjen e tij në mitingut e 14 korrikut në Butler të Pensilvanisë.
Në një deklaratë gjatë forumit të diskutimit Valdai në Soçi, Putin u shpreh: "Sipas mendimit tim, ai u soll në mënyrë shumë të drejtë, i guximshëm dhe si një burrë i vërtetë."
Putin vuri në dukje se Trump kishte përballuar një fushatë të vështirë, ku sipas tij ai "u sulmua nga të gjitha anët" dhe se komentet e tij mbi Ukrainën dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë ishin të rëndësishme.
"Ajo që u tha për dëshirën për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë dhe për t'i dhënë fund krizës në Ukrainë, sipas mendimit tim, meriton vëmendje," theksoi lideri i Kremlinit.
Trump gjatë fushatës së tij deklaroi se do të mund ta zgjidhte krizën në Ukrainë brenda 24 orëve pas zgjedhjes së tij. Putin paralajmëroi gjithashtu se ai nuk kishte asnjë ide për zhvillimet e ardhshme.
Në një pyetje se çfarë do të bënte nëse Trump do të kërkonte një takim me të, Putin u shpreh i gatshëm për kontakte dhe dialog.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, rikujtoi fjalët e Trump për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, edhe pse e pranoi se afati kohor i përmendur mund të ishte i ekzagjeruar. Peskov, duke iu përgjigjur një komenti të Kamala Harris për përplasjet e mundshme me Trump, tha me humor: "Putin nuk ha njerëz."