Në media janë duke qarkulluar mesazhet që tregojnë përfshirjen e personave me rekorde kriminale në procesin e përzgjedhjes së deputetëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Sipas këtyre mesazheve, Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi, i ekzekutuar në 2021 dhe Altin Hajri, i kërkuar nga drejtësia, kanë ushtruar ndikim për renditjen e Jurgis Çyrbjas të tretin në listën e kandidatëve të PS për Qarkun e Durrësit.
Mesazhet në SKY ECC tregojnë komunikime të drejtpërdrejta mes Mond Çekiçit dhe ish-deputetit Çyrbja, ku Çekiçi i garanton Çyrbjas mbështetje të plotë, shkruan balkanweb.
“Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7,” shkruan Çekiçi, duke theksuar angazhimin e tij për emërimin e Çyrbjas.
Jurgis Çyrbja: Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja!
Një tjetër person, i paidentifikuar, i sugjeron Çyrbjas të punojnë fort për të ruajtur renditjen.
Altin Hajri, në një mesazh tjetër, i dërgon listën e kandidatëve Çyrbjas dhe e informon se Çekiçi është dakord me pozicionin e tij. Në listën finale të dërguar në KQZ, Çyrbja u rendit i treti, siç u kërkua nga grupet kriminale.
Pas dorëheqjes nga mandati, SPAK e arrestoi Çyrbjan më 20 tetor, i akuzuar për korrupsion zgjedhor dhe dy akuza të tjera.